Largohet nga Telekomi Demir Limaj, vëllai i kryetarit të NISMA-s, Fatmir Limaj

-Sponzorizuar-

Këtë të mërkurë, nga detyra u liruan gjashtë punonjës të Telekomit të Kosovës, nga sektori i marketingut, shitjes dhe nga zyra e shefit ekzekutiv.

- Sponzorizuar -

Në mesin e tyre edhe drejtori i shitjes, Demir Limaj, që është vëllai i kryetarit të NISMA-s, Fatmir Limaj, i cili është edhe profesor në Universitetin e Prizrenit, raporton KTV.

Ky i fundit, për KTV-në, ka thënë që ende mban pozitën që e kishte.

“Derisa të marr ndonjë përgjigje nga Agjencia e Antikorrupsionit që të shoh nëse ka konflikt të interesit për dy pozitat që mbaj, unë vazhdoj të jem drejtor i shitjes”, ka thënë Limaj përmes telefonit.

Mirëpo, Agjencia Kundër Korrupsion ka bërë të ditur se deri më sot nuk ka marrë ndonjë kërkesë nga Limaj, për t’i shqyrtuar pozitat e tij. Shaip Havolli i ka thënë KTV-në se në databazën e tyre nuk figuron kërkesa e Limajt apo e Telekomit për këtë çështje. Dhe, rrjedhimisht, sipas tij, AKK nuk ka shqyrtuar një kërkesë të tillë.

Në anën tjetër, Kryeshefi Ezekutiv i Telekomit, Bedri Istrefi, ka thënë që ekziston një marrëveshje, sipas të cilës Limaj pritet të lirohet pozita e tij.

Më tutje, Istrefi ka thënë që do të ketë edhe rishikim të kontratave të punonjësve të tjerë të ndërmarrjes.

Bedri Istrefi po ashtu ka njoftuar se pozitat e lira janë plotësuar me staf nga brenda Telekomit.

E po ashtu ka bërë të ditur që pozita e drejtorit të shitje, që i takonte Demir Limajt, do të plotësohet brenda javës.